Comment are off

Societe Generale Albania prezanton MIK Festival

 

Projekti “Muzika Internacionale në Korçë” (MIK Festival), i cili fillon nëpërmjet edicionit të tij të parë në datat 25 – 29 Korrik 2018 në qytetin e Korçës, është eventi kulturor i radhës që sponsorizohet nga Societe Generale Albania.

MIK Festival lindi si ide e nisur nga sopranoja e famshme, znj. Inva Mula dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës. Festivali do të zgjasë 5 ditë me aktivitete gjithëpërfshirëse për të promovuar kulturën dhe historinë e qytetit të Korçës dhe për ta përfshirë atë në hartën e destinacioneve të ngjarjeve kulturore të rajonit.

Societe Generale Albania edhe këtë herë tregoi mbështetjen e saj për muzikën klasike dhe artin në përgjithësi, duke qenë një prej sponsorëve kryesorë të MIK Festival.

Dita e dytë e festivalit, e cila është edhe dita franceze e tij, do të përmbajë në program muzikë franceze të interpretuar nga artistë të ndryshëm të njohur në skenat ndërkombëtare. Ndërkohë që mbyllja e kësaj dite do të jetë një spektakël më vete ku të ftuarit do të mund të shijojnë artin kulinar francez nga një shef me origjinë shqiptare.